Lajme

Me aksion kundërshtohet dënimi me 8 muaj burg ndaj burrit që dhunoi të miturën

Foto: EO

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar aksion simbolik në lidhje në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për ta dënuar me 8 muaj e 8 ditë burg dhunuesin e një të miture 15-vjeçare.

Vendimi është marrë 10 vite pas krimit, dhe i dënuari tashmë nuk është e nevojshme të shkojë në burg pasi dënimin e ka vuajtur në paraburgim.

Lexo edhe:
Gjykata në Pejë mbushet me mbishkrime pas dënimit me 8 muaj burgim të personit që dhunoi një 15-vjeçare

Para dy muajsh, gjyqtarja Florije Zatriqi ka gjetur rrethana lehtësuese për rastin ku dënimi parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim.

Në vendimin e marrë, dënimi u arsyetua me “keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar dhe tani kanë kaluar 10 vite e se ai ka fëmijë”.

Nga organizatat që merren me të drejtat e grave, Liridona Sjarina, tha se janë duke kërkuar hetimin e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtares së rastit, shkarkimin e saj si dhe ofrimin e transparencës së plotë për rastin.

“Gjykata Themelore në Pejë mori vendim për dënim prej 8 muaj e 8 ditësh për një burrë, i cili 10 vite më parë e kishte rrëmbyer duke e kanosur me thikë, e kishte mbajtur në një shtëpi kundërligjshëm dhe e kishte dhunuar seksualisht në grup, një vajzë 15 vjeçare”.

“Ky vendim, përveç se i vonuar dhe jo legjitim, është thellësisht seksist dhe si i tillë vazhdon ta normalizojë e insistojë dhunën ndaj vajzave e grave”, tha ajo.

Lexo edhe:
Haxhiu reagon pas vendimit për dënim me 8 muaj e 8 ditë burgim ndaj burrit që dhunoi seksualisht 15-vjeçaren

Më pas aksioni ka vazhduar edhe para Këshillit Prokurorial të Kosovës./SHQIP.com