Lajme

Propozohet strukturë tarifore me 3 blloqe dhe çmime më të zbutura të energjisë elektrike

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për konsumatorët e energjisë elektrike në mënyrë që të tejkalohet kriza energjetike.

Në një konferencë për media, nga ky institut kanë propozuar ndarjen e tarifave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.

Sipas propozimit, konsumatorët që do të shpenzonin deri 600 kilovatë në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata nga 600-1200kW për 70 për qind e ata mbi 1200kW rritje prej 80 për qind të çmimit.

Nga INDEP thanë se këto komente i kanë dorëzuar tashmë në Zyrën e Rregullatorit për Energji.

“INDEP propozon që çmimi i energjisë elektrike të rritet me një përqindje më të ulët se sa që ka propozuar ZRRE-ja. Gjithashtu, INDEP përkrahë strukturën tarifore me blloqe, por propozon që kategorizimi të jetë në tre blloqe, duke shtyrë përpara uljen e konsumit dhe rritjen e masave efiçiente”, ka thënë Dardan Abazi, udhëheqës i hulumtimeve në INDEP./SHQIP.com