Lajme

Prokuroria Themelore në Prishtinë nis hetimet për Martin Berishajn

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Për Shqip.com, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj e cila tha se e kanë pranuar kallëzimin penal ndaj Berishajt nga zyra e Prokurorit të Shtetit dhe pastaj hetimet për rastin kanë filluar.

“Fillimisht ne kemi pranuar kallëzimin penal nga Prokurori i shtetit se fillimisht është shtruar si çështje në zyrën e prokurorit të shtetit dhe ata e kanë përcjellë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndërsa për rastin kanë filluar hetimet”, tha Ulaj.

Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj – SHQIP.com

Ndaj Berishajt ishte ngritur kallëzim penal i cili ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.

Shqip.com në prill të këtij viti pati raportuar se Berishaj posedon aksione në dy kompani të cilat zhvillojnë biznes në Kosovës.

Lexo edhe:

(Dokument) Berishaj nuk i ka deklaruar aksionet e dy kompanive vendore

Por, këto biznese ku Berishaj është aksionar, nuk i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shqip.com ka kontaktuar agjentin e regjistruar të firmës Zaslon Kosova L.L.C, Albert Hajrizaj, i cili ka thënë se kompania në fjalë është formuar në vitin 2008 dhe që nga ai vit nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet.

‘’Kjo kompani është hapur në vitin 2008, kjo kompani vetëm është hapur dhe është mbetur nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet’’ ka thënë nga kjo kompani për Shqip.com

Katër muaj pas, Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

Në muajin prill, gazeta Nacionale kishte raportuar për një skandal të madh financiar që kishte shpërthyer në Slloveni. Aty ishte përfshirë ambasadori Martin Berishaj.

Më vonë, Nacionale gjeti se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë në vitin 2022.

Sipas deklarimit i cili është publik në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, shihet që Berishaj nuk e ka deklaruar kompaninë e tij ‘MB Consulting’, me pronar dhe punëtor vetë Berishaj, ani pse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.

Berishaj ka deklaruar banesë në vlerë prej 180 mijë euro e përfituar në vitin 2001, shtëpi e trashëguar nga 2008 në vlerë prej 72 mijë euro, një tjetër banesë të përfituar në vitin 2006 në vlerë prej 50 mijë euro, dhe tokë me sipërfaqe 62,000.00 m2 e trashëguar nga prindërit në vlerë prej 80 mijë euro.

Pasuri të luajtshme ka deklaruar veturë Mercedes E220 e blerë nga kursimet në vitin 2016 në vlerë prej 15 mijë eurove, dhe një veturë në emrin e bashkëshortes Audi 8 e blerë në vitin 2018 në vlerë prej 42 mijë eurove.

Ka deklaruar para të gatshme në dy banka sllovene, në emrin e vet 15 mijë euro, dhe në emrin e gruas 10 mijë euro.

Të hyrat si ambasador i ka deklaruar në vlerë prej 39,936.00 euro në vit, dhe të hyrat e bashkëshortes në vlerë prej 24 mijë euro në vit.

Skandali Martin Berishaj

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

elevizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh./Shqip.com