Lajme

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 6 personave

Prokuroria Speciale e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër gjashtë të pandehurve me iniciale F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S.

Kjo është bërë e ditur sipas një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në periudhën kohore gjatë vitit 2021, e deri në datën e arrestimit të tyre me 20.10.2021, në lokacione të ndryshme në Kosovë, të pandehurit A.O., A.Q dhe Sh.R, kanë poseduar shumën e të hollave prej njëqindenjëzetepesë mijë e dyqindedyzet (125.240.00) euro, kartëmonedha me ngjyrë, edhe pse e kanë ditur se të njëjtat janë përfituar përmes aktivitetit kriminal nga kryes aktualisht të panjohur të cilët i kishin siguruar ato me përdorimin e forcës apo mjeteve tjera të forta tek institucionet financiare brenda apo jashtë Kosovës.” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lidhur më këtë të pandehurit A.O., A.Q dhe Sh.R., me dashje dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, nga neni 333 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.  

Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, më datë 20.10.2021, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas një koordinimi paraprak mes tyre, të pandehurit F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S., me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar, shuma e të hollave prej njëqindenjëzetepesë mijë e dyqindedyzet (125.240.00) euro, të cilat ishin kartëmonedha me ngjyrë, janë siguruar përmes aktivitetit kriminal, janë përpjekur që t’i këmbejnë ato me para origjinale në shumën prej 30 % të shumës së përgjithshme, t’i transferojnë ato tek personat e tretë me qëllimin që të njëjtat të pastrohen dhe të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme për të fshehur në këtë mënyrë natyrën dhe burimin e vërtetë.

“Me këto veprime të pandehurit F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’, nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe lidhur me nenin 56 paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit” thuhet në njoftim.

Po ashtu, i pandehuri A.O., në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një armë gjuetie “mosberg patriot” kalibri 30.06 Laser i armës, Dylbi e vendosur në armë, Karikator i zbrazet, thikë me futrollë me mbishkrim Byker, 20 fishek kalibri; ndërsa i pandehuri L.S., në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një pistoletë të tipit Zoraki M906T me katër copë fishek kalibër 7.65 mm, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, secili prej tyre veç e veç kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së./Shqip.com