Lajme

Prokuroria Speciale i kundërpërgjigjet Konjufcës

Prokuroria Speciale e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një reagimi ka bërë të ditur se në lidhje me veprat penale të ditëve të fundit në veri, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, duke dhënë autorizimet e nevojshme Policisë së Kosovës.

“PSRK si autoritetet kompetent për hetimin e veprave penale, në grupin e të cilave bëjnë pjesë edhe vepra penale të cilat janë kryer në pjesën veriore të Kosovës siguron opinionin publik se për këto raste prokurorët kompetent kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, duke ju dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore.

Siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi prokuroria i udhëheq hetimet dhe mbikëqyrë punën e policisë gjatë hetimit, ndërsa veprimet tjera në bazë të urdhrave dhe autorizimeve të prokurorisë ndërmerren nga organet hetimore të policies”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria Speciale.

Tutje, bëhet e ditur se Prokuroria nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore sepse sundimi i ligjit është qëllimi i punës së tyre dhe jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor.

“Megjithatë për hir të njoftimit të drejtë, PSRK njofton se ka trajtuar shumë raste penale që kanë ndodhur në veri të Kosovës, disa prej të cilave kanë rezultuar me arrestime, aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së”, theksohet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Lexo edhe:
Konjufca: Njeriu kryesor i drejtësisë nga shtatori e ka dosjen për bandat në veri dhe nuk vepron

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gluk Konjufca ditën e djeshme ka hedhur akuza në drejtim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Sipas Konjufcës, ai e ka dosjen për bandat në veri të vendit por që i njëjti nuk vepron.

“Kam info të sakta, që njeriu kryesor i sistemit të drejtësisë sot, prej muajit shtator të vitit të kaluar e ka dosjen e plotë të bandave kriminale të veriut, asnjë veprim fare, asnjë veprim. Njeriu kryesor i drejtësisë, ai që po dëshiron të jetë kryeprokuror”, ka thënë ai.

/Shqip.com