Lajme

Prokuroria po heton Gërvallën për mosdeklarim të pasurisë

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla

Prokuroria Themelore është duke hetuar mosdeklarimin e pasurisë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Lajmin për SHQIP.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tha se rasti është në fazën e hetimeve.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”-  tha Ulaj.

Lexo edhe:
Ministres Hajdari i ngritet aktakuzë për deklarim të rrejshëm të pasurisë

Ndryshe ditë më parë është ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për deklarim të rrejshëm të pasurisë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

“Po mund ta konfirmoj se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari, ditën e djeshme, më 13 tetor. Ne e kemi procedu tutje, tash është në dorë të organeve tjera kompetente”, tha Ulaj.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsion, kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres për deklarim të rrejshëm ose mosdeklarim të pasurisë.

Në formularin e pasurisë, Hajdari ka deklaruar se posedon një banes në vlerë prej 50 mijë eurove, që nuk e ka në emër të vetin, por është pronë e përbashkët familjare. Gjithashtu Hajdari ka deklaruar një veturë në vlerë prej 3 mijë eurove të tipit Ford dhe 900 euro para të gatshme në bankë.

Ndërsa pagën mujore Hajdari e ka deklaruar 1 mijë e 321 euro.

Agjencia Kundër Korrupsionit është institucion që kontrollon pasurinë e zyrtarëve të lartë publik, e që këta të fundit obligohen që një herë në vit ta paraqesin pasurinë.

/Shqip.com