Lajme

Prokuroria kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave të dyshuar në rastin e 11-vjeçares

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për pesë të dyshuarit në dhunimin e një 11-vjeçarje në Prishtinë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ulaj tha se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit është bërë vetëm për të arrestuarit e parë në rastin e të miturës.

“Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është bërë vetëm për pesë personat e parë të arrestuar në rastin e 11-vjeçares. Kjo kërkesë është bërë për këta persona pasi të njëjtit kanë qenë afër afatit skadues të masës paraprake të paraburgimit”, tha Ulaj.

Ndërsa për të arrestuarit në rastin e qershorit që ka të bëjë me të miturën e njëjtë, Ulaj tha se do të veprohet njëjtë.

“Për të arrestuarit e fundit nuk është bërë ende kërkesa por do të bëhet edhe për ata e njëjta kërkesë kur të vijë koha”.

Muaj më parë, pesë persona dyshohet se kanë dhunuar seksualisht një vajzë të mitur në Prishtinë.

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga mediat, thuhet se viktima ishte dhunuar fillimisht në një park të lagjes “Arbëri” në Prishtinë dhe më pas është marrur duke e dërguar në një lokacion tjetër për shtatë orë rresht.

Në mesin e të dyshuarve janë edhe disa të mitur.

Megjithatë, ky nuk ishte rasti i vetëm i 11-vjeçres. E njëjta, në qershor të këtij viti ishte marrur nga gjashtë persona të tjerë të cilët e kanë shfrytëzuar seksualisht në motele të ndryshme të Kosovës të cilët tashme janë të arrestuar.

Në dy raste të ndara, 12 persona gjendën në paraburgim për rastin e 11-vjeçares.

Ky rast tronditi opinionin publik në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, të cilët marshuan në protesta duke kërkuar drejtësi e mbrojtje për gratë dhe vajzat./Shqip.com