Lajme Botë

Prokuroria gjermane kërkon konfiskimin e 720 milionë eurove, para të “ngrira” ruse

Euro / Ilustrim
Euro / Ilustrim

Prokurori Federal i Gjermanisë ka paraqitur një mocion për konfiskimin e pasurisë në lidhje me më shumë se 720 milionë euro të “ngrira” ruse, raporton agjencia “AP”.

Zyra e Prokurorit tha të mërkurën se synimi i mocionit, që u depozitua më 7 korrik, është sekuestrimi i parave të depozituara nga një institucion financiar rus në një llogari bankare në Frankfurt për shkak të një përpjekjeje të dyshuar për t’i shkelur rregullat e embargos, që është e kriminalizuar sipas Ligjit Gjerman për Tregti të Jashtme dhe Pagesa.

Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione dhe kufizime të ndryshme ndaj Rusisë. Masat kanë vënë në shënjestër sektorin e energjisë, bankat, kompanitë dhe tregjet, duke futur më shumë se 1000 zyrtarë rusë të jenë subjekt i ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të udhëtimeve.

Sipas një raporti në “Spiegel Online”, Zyra e Prokurorit Federal dëshiron që fondet e ngrira të shkojnë në arkat shtetërore.

Në qershor të vitit 2022, Këshilli i BE-së e renditi institucionin financiar rus, në listën e institucioneve që goditen nga embargo.

Pak pasi u fut në listë, individë të panjohur që vepronin në emër të institucionit financiar rus u munduan të tërhiqnin mbi 720 milionë euro nga llogaria e tij në një bankë në Frankfurt, por banka nuk ekzekutoi urdhrin e transferit elektronik, tha Zyra e Prokurorit në Karlsruhe.

Mocioni i prokurorit është paraqitur para Dhomës së sigurisë së shtetit në Gjykatën më të lartë rajonale në Frankfurt.

Autoritetet e Doganës së Gjermanisë, zyra për hetim penal në kuadër të këtij institucioni, është ngarkuar me hetime.

“Kërkohet konfiskim i pavarur pasi aktualisht është e pamundur të ndiqen penalisht individët e caktuar për veprën në fjalë”, shkruan prokuroria.

/Shqip.com