Lajme

Prokuroria: Aktakuza ndaj Haskukës, Selimit e tre ish-deputetëve është ngritur më 2016

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016

Aktakuza ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit dhe tre ish-deputetëve tjerë, Enver Hoti, Shqipe Pantina dhe Teuta Haxhiu, është ngritur në vitin 2016.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila të premten përmes një komunikate për media është sqaruar lidhur me këtë rast, duke thënë se aktakuza “është ngritur më 15.04.2016 dhe është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”.

Lexo edhe:
Aktakuzë ndaj Mytaher Haskukës, Rexhep Selimit e tre ish-deputetëve për hedhje të gazit lotsjellës

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, reagon lidhur me lajmin e publikuar ‘Ekskluzive: Aktakuzë ndaj Mytaher Haskukës, Rexhep Selimit e tre ish-deputetëve se më 2016 hodhën gaz lotsjellës në Parlament’, duke marrë parasysh se aktualizimi i raportimeve të tilla në opinion, në periudha të caktuara kohore, jo vetëm në këtë rast por edhe herë më parë, shpërfaqë tendencë përmes titujve të tyre, pasi në rastin konkret aktakuza e raportuar është ngritur shumë kohë më parë, konkretisht kjo aktakuzë është ngritur më 15.04.2016 dhe është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”.

Sipas Prokurorisë, “raportimet me tituj të tillë dhe aktivizimi i tyre në periudha të caktuara kohore shpërfaqin tendencë në opinionin publik, si dhe nuk transmetojnë në mënyrë të duhur punën e sistemit prokurorial”.

Haskuka, Selimi dhe tre ish-deputetët e tjerë akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare kanë hedhur gazin lotsjellës me qëllim për të ndërprerë punimet e seancës./SHQIP.com