Prokurori Shqipdon Fazliu ankohet në Kushtetuese për procedurën e përzgjedhjes së Kryeporkurorit të Shtetit
Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu ka paraqitur sot ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës se zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Lajmin për paraqitjen e ankesës e ka bërë të ditur avokati i tij, Flakron Sylejmani.
“Përmes kërkesës kemi kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit përkatësisht vendimet e takimit e 212-të Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 06.04.2022”, ka shkruar avokati Sylejmani në Facebook
Fazliu pretendon se KPK, gjatë procesit të zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën në mjet juridik, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të drejtat për mbrojtje gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës së Kosovës si dhe të drejtat tjera të përcaktuara me Ligj dhe Konventa ndërkombëtare.
Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ishin: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
Theksojmë se më 6 prill, Këshilli Prokurorial me 11 vota pro ka nominuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të ri të Shtetit.
Shefi i zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i zhgënjyer nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Szunyog ka shkruar se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka shkruar Szunyog në ‘Twitter’.
Përveç shefit të BE-së, kundë kanë dalë edhe tri organizata joqeveritare të Kosovës.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kanë kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanaj që të mos e dekretojë Isufajn.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhet në komunikatën e organizatave.
Ndërsa, Zyra e Presidentes, të premten e 8 prillit, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit./Shqip.com