Ekonomi Biznes

Projektet e Grantit të Performancës do t’i nënshtrohen auditimit

Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit, ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK)”. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i mënyrës së financimit të grantit dhe mënyra e menaxhimit të projekteve të financuara nga ky grant. Auditimi do të analizoj edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këto procese investive, me theks grupet e margjinalizuara.

Mjetet e planifikuara për GPK për vitet 2018-2021 ishin rreth 14 milionë euro dhe janë financuar rreth 190 projekte në komunat e Republikës së Kosovës. Në vitin 2021 nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre i kanë përmbushur kushtet minimale për t’u kualifikuar dhe për të përfituar nga ky grant. Shuma e përgjithshme e disponueshme për vitin 2021 ishte rreth 4.35 milionë euro.

“Menaxhimi i projekteve të financuara nga ky grant duhet të jetë në pajtim me legjislacionin vendor, me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, si dhe të sigurojë se projektet në të cilat investojnë komunat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet mes tjerash në njoftimin nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

/Shqip.com