Sport Shqiptar

Prishtina dhe Samadrexha marrin fitore

Superliga e Kosovës në Hendboll në kategorinë e femrave ka vazhduar me xhiron e 20-të.

Të mërkurën janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e para të kësaj xhiroje.

Prishtina ka fituar në Gjakovë ndaj Shqiponjës me rezultat bindës, 46:23.

Më e mira në këtë ndeshje ishte Alma Nivokaz, e cila shënoi 12 gola për Prishtinën, ndërsa një paraqitje solide pati edhe Shkurta Mehmeti me nëntë gola.

Nga ana tjetër te vendasit më efikasja ishte Elma Hoda me 13 gola.

Në Samadrexhë u takuan hendbollistet e Samadrexhës me ato të skuadrës nga Deçani, Jusuf Gërvalla, ku fitoi skuadra vendase me rezultat 34:29.

Donjeta Mehmeti me 13 gola dhe Aulona Maloku me 11 ishin më efikaset te Samadrexha, kurse te Jusuf Gërvalla 10 gola i shënoi Nurije Qekaj.

Prishtina është e dyta me 36 pikë, Shqiponja mban vendin e gjashtë me 21 pikë, Samadrexha tani i ka 13 pikë në mesin e tabelës, ndërsa një pikë më shumë e ka Jusuf Gërvalla./Shqip.com