Lajme Ballkan

Prindërit nisin peticion kundër një nxënëse me Syndrome Down, nuk duan që fëmijët e tyre të mësojnë në një klasë me të

Nxënësja në shkollë në Gostivar

Në shkollën fillor “Bashkimi” në Gostivari të Maqedonisë së Veriut, prindërit kanë nënshkruar një peticion kundër një fëmije me “Down Syndrome”.

Prindërit e nxënësve tjerë kanë bojkotuar mësimin, me pretekstin se Ëmbla ka qenë agresive ndaj fëmijëve të tjerë.

“Për shkaqe të pengesës nga nxënësja Ëmbla Ademi në orët mësimore dhe për shkaqe të agresiviteteve, kemi sjellë vendim nga ana e prindërve që të bojkotohet mësimi nga ana e nxënësve të rregullt”, thuhet në peticionin e nisur nga prindërit.

Ilir Ademi, babai i Ëmblës, ka publikuar një fotografi ku ajo shihet e vetme në klasë.

Sipas tij, arsye pse ajo gjendet e vetme në klasë është se prindërit nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë për shkak të vajzës së tij që është me Syndrome Down.

“Sot filloi gjysëmvjetori i dytë për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe moshatarët e vajzës time Ëmblën, vetëm Ëmbla jonë nuk e gëzoi këtë ditë sepse dikush ia ndalë këtë ndjesi, që mos të filloj me moshatarët e vet….derisa të gjithë gëzohen se fëmijët e tyre nisën gjysëmvjetorin e dytë, na si prindër të Ëmblës e mendojm kur do të filloj gjysëmvjetori i dytë për Ëmblën pasi që u bojkotua në gjysëmvjetorin e parë nga prindërit ( nënat) e moshatarëve të Ëmblës…me hajër na qoftë”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Drejtori i shkollës fillore “Bashkimi”, Ziadin Nuredini ka thënë se në bashkëpunim me prindërit kanë rënë në ujdi për të ia ndërruar nxënëses klasën.

“Ne me prindërit e Ëmblës kemi rënë dakord, që Ëmbla të qarkullojë dhe të bëjë rotacion në tre klasa apo paralele që i kemi”, tha Nuredini, për Klan Macedonia.

Ëmbla kishte vizituar edhe qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta, Handimak, e drejtori, Adem Idrizi thotë se Ëmbla, asnjëherë nuk ka qenë agresive.

“Ëmbla nuk është fajtore për gjendjen e saj. Ne jemi ata që duhet të mbajmë përgjegjësi dhe duhet të kemi një ndërgjegje. Ato nënat që kanë refuzuar dhe kanë protestuar për ta përjashtuar Ëmblën nga shkolla vetëm një minutë të vendosin vetën në pozitën e Ëmblës”.

“Ky është një mesazh për të gjithë nënat tjera të cilat rezistojnë që fëmijët e tyre të përfshihen. Si çdo fëmijë ka vetitë e saja por përkundrazi Ëmbla por qasja ndaj saj normal që e bën edhe agresive. Por nuk është faji i saj por faji i atyre që punojnë me Ëmblën”, thotë Adem Idrizi, drejtor i “Handimak”./Shqip.com