Lajme

Prezantohet ambasadori i ri amerikan: Për 13 vjet në Kosovë janë bërë mrekulli, por ende ka punë të pakryera

Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA-së në Prishtinë

Ambasada amerikane në Kosovë ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, një video të ambasadorit të ri Jeff Hovenier, ku prezanton biografinë e tij dhe bën tri premtime për Kosovën.

Qytetarëve u ka premtuar se do të punojë për “një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj”.

Po ashtu, për “një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efikase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve”.

Dhe premtimi tjetër, “një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime, mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ”.

Hovenier mes tjerash ka thënë se të arriturat e Kosovës përgjatë 13 viteve të kaluara “janë thjeshtë mrekulli – një demokraci e gjallë, ekonomi e aftë, si dhe lidershipin që Kosova e përçon përtej kufijve të saj”.

Megjithatë, sipas tij, ka ende punë të pakryera.

Për Hovenier Kosova dhe historia e sajnuk janë të panjohur për të, pasi ka qenë pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë, e po ashtu në vitin 2006, ka qenë në ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Marti Ahtisari, që ishte përgjegjës për negociatat për statusin.

“Në vitin 1999, përderisa po punoja në misionin e SHBA-së në OSBE, shërbeva si pjesëtar i delegacionit amerikan në procesin e Rambujesë”, është shprehur ai.

“Gjithashtu, në vitin 2006, kam qenë në ekipin e OKB-së, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Marti Ahtisari, që ishte përgjegjës për negociatat për status”.

“Më vonë gjatë karrierës sime, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, kam punuar në politikat e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë ato për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

Në fund, ambasadori amerikan ka thënë se është krenar për rolin që ka luajtur në mbështetjen e popullit të Kosovës, dhe se “jam edhe më i ngazëllyer se çka mund të arrijmë së bashku për të ardhmen e Kosovës”./SHQIP.com