Lajme

Presidentja thotë se burri i saj nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me bashkëshortin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mohuar se bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale” dhe gazetarët përfaqësues të tyre.

Sipas saj, postimi i Sadriut ka dalë nga konteksti.

“Sa i përket Prindonit, ai e ka bërë një reagim dje, por prapë ka dalë nga konteksti.  Ai e qartëson shumë mirë, nuk i ka quajtur mediat si ndërmarrje të përbashkët mediale. Mjafton ta lexoni. Ndërmarrja e përbashkët kriminale është e ndarë nga gazetarët në atë status”, u shpreh Osmani në një intervistë për RTK-në.

Mes tjerash, ajo tha se “mediat e dinë mirë se nuk kanë pasur kurrë aleat më të madh për lirinë e fjalës se Vjosa Osmanin”, por sërish po e akuzojnë për gjëra që sipas saj, nuk janë asapak të vërteta.

Lexo edhe:
Reagon von Cramon ndaj deklaratës së Prindon Sadriut: Në Kosovë po bëhet fushatë denigruese kundër gazetarëve

“Dezinformimi është një prej rreziqeve më te mëdha. Si presidente jemi sulmuar nga një propagandë e tmerrshme. Sidomos shkrimi për me qepu, ajo tregon tendencën. Nuk është gabim, por tregon tendencën”.

“Është absurde të thuhet se presidenca ka kërkuar koka gazetarësh. Ne vetëm kemi kërkuar kërkim falje publike”, pohoi tutje ajo.

Prindon Sadriu i cili është bashkëshort i presidentes, Vjosa Osmani, më 8 shkurt kishte publikuar një status në Facebook, ku mediat i ka quajtur “Ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë të cilin publikim, më pas e ka fshirë./Shqip.com