Lajme

Presidentja e Sllovenisë në Tiranë: BE të pranojë Shqipërinë. Ne ju mbështesim! Begaj: S’është më e rëndësishme data, se sa ëndrra…

Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar po qëndron këtë të enjte në Shqipëri, në kuadër të një vizite zyrtare. Ajo është pritur me ceremoni nga homologu i saj shqiptar, Bajram Begaj. Gjatë konferencës për shtyp me Begajn, Musar është shprehur se “Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Presidentja sllovene deklaroi se vendet e Bashkimit Europian duhet të kryejnë detyrat e tyre dhe të hapin dyert për të pranuar shtetet e reja.

“Ne do të mbështesim integrimin europian të vendeve të Ballkanit, veçanërisht Shqipërinë. Zgjedhje europiane janë të rëndësishme, me 9 qershor do të votojmë edhe në Slloveni. Duhet të jemi të vetëdijshëm se PE është institucioni i vetëm i zgjedhur drejtpërdrejt nga ne, aty dëgjohet fjala jonë. Besoj se do të dimë të bëjmë ndarjen mes të mirës dhe të keqes.

Varet shumë nga vendet anëtare të BE-së, se a do të kryejmë ne detyrën tonë dhe me dyer të hapura të pranojmë shtetet e reja. Ky nuk është proces i lehtë. Vullneti për të hyrë në BE zvogëlohet, në Maqedoninë e Veriut shihet diçka e tillë, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të kemi aq mençuri sa ta kryejmë këtë proces. Detyrat duhet të kryhen nga të dyja palët”, tha Natasa Pirc Musar.

Nga ana e tij, kreu i shtetit Bajram Begaj është shprehur se për Shqipërinë objektivi 2030 për t’u anëtarësuar në BE është e rëndësishme. Por Kreu i Shtetit theksoi se “nuk është aq e rëndësishme data se sa është e rëndësishme ëndrra, mund të arrihet më shpejt apo më vonë”.

Ai theksoi se për Shqipërinë është jetike integrimi në BE dhe se duhet punuar fort për arritjen e këtij objektivi.

“Për Shqipërinë objektivi 2030 për t’u futur në BE, sipas një deklarate të bërë në forumin e Bledit, është e rëndësishme. Por nuk është aq e rëndësishme data se sa është e rëndësishme ëndrra, mund të arrihet më shpejt apo më vonë. Shqipëria ka kaluar me sukses kapitujt e parë të negocimit.

Për Shqipërinë është jetike integrimi në BE. Dhe nga ana tjetër për BE, integrimi i Ballkanit Perëndimor, apo procesi i anëtarësimit të vendit tonë duhet të jetë strategjik. Detyra jonë është të bëjmë mirë detyrat për të arritur këtë objektiv që janë reformat.

Ky është një objektiv mund të arrihet në 2030 apo edhe më shpejt. Shqipëria është e vlerësuar në arenën ndërkombëtare dhe nga vendet e BE, por nuk mjafton, siç e pamë u bllokuan për hapjen e konferencës ndërqeveritare. Për vendime të tilla nuk duhet që të zhgënjehemi por të punojmë fort për të arritur objektivin tone”, deklaroi Presidenti.

/Shqip.com