Lajme

Presidentja e Parlamentit Europian: Sot përnjëmend duhet të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën

Roberta Metsola

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola e ka quajtur historike, ditën e sotme, kur dhe ka nisur Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka rënditur disa pika rreth asaj se pse e cilëson kaq të rëndësishme këtë ditë, ndërsa në mesin e tyre përmend edhe çeljen përnjëmend, të diskutimeve, për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.

”Sot është një ditë historike për dy arsye; sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Evropian.

Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Evropën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duhet përnjëmend të flasim për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ajo para gazetarëve.

Theksojmë se Presidentja, Vjosa Osmani një ditë më parë është takuar me Mitsolan dhe kanë diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se PE-ja ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Lexo edhe:
Osmani në Bruksel: Liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit për liberalizimin e vizave

“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka shkuar Osmani në Facebook.

Shefja e shtetit ka shtuar se aty është diskutuar edhe ”për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”./Shqip.com