Lajme

Osmani në Bruksel: Liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një takimi me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola kanë diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se PE-ja ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka shkuar Osmani në Facebook.

Shefja e shtetit ka shtuar se aty është diskutuar edhe ”për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor./Shqip.com