Ekonomi

Presidenca tregon për Shqip.com, se çka po ndodh me dekretimin e Guvernatorit të BQK-së

Më datë 13 korrik, me 56 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, sa ishin të pranishëm në sallë, Ahmet Ismaili u zgjodh guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ismaili si kundërkandidat e pati Lulzim Ismajlin, i cili mori vetëm 4 vota.

Këta dy emra morën mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e 150-të të ekzekutivit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 150-të me radhë, në mënyrë elektronike, në të cilin ka miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka dhënë mendim lidhur me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën për media.

Ahmet Ismaili – Guvernator i BQK-së

Me vendimin e miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe ky vendim do të përcillet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhej ndër të tjera në komunikatën për media.

Derisa bëhen gjashtë ditë prej se është zgjedhur nga Kuvendi, Ahmet Ismaili ende nuk ka mundur të shkelë në BQK si i pari i saj.

Kjo për faktin se ai ende po e pret dekretimin nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media, tha për Shqip.com se; “nuk ka ardhë ende emri i votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Ndaj këtij procesi ka pasur ankesë nga Ambasada Britanike, e cila ndryshe nga konkursi i parë, në këtë të dytin nuk ka marr fare pjesë.

Lexo edhe:
Britanikët refuzojnë të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së Guvernatorit të BQK-së

Por, në presidencë kanë treguar nëse kanë marrë ndonjë ankesë nga kjo ambasadë.

Nuk ka ardhë as ndonjë dokument nga Ambasada Britanike”, ka thënë për Shqip.com, Kupina.

Ndryshe, në njoftimin e BQK-së thuhet se duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve të përzgjedhur si në vijim: Ahmet Ismaili – (84.67 pikë, nga 100 maksimale), Lulzim Ismajli – (73.67 pikë, nga 100 maksimale).

Lexo edhe:
Ahmet Ismaili zgjidhet guvernator i BQK-së

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte përsëritur konkursin për guvernator të ri pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës.

BQK-ja aktualisht udhëhiqet nga U.D. i guvernatorit, Bashkim Nurboja, i cili e ka marrë këtë detyrë pasi që Fehmi Mehmetit i ka skaduar mandati i guvernatorit më 29 mars të këtij viti.

/Shqip.com