Lajme

Britanikët refuzojnë të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së Guvernatorit të BQK-së

BQK

Ambasada Britanike nuk do marrë më pjesë në procesin për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK.

Zyrtarë të kësaj ambasade në një përgjigje për Shqip.com, kanë thënë se ata janë njoftuar se procesi është kthyer në pikën zero.

“Ne kemi qenë të njoftuar për ri-shpalljen e konkursit dhe kemi qenë edhe të ftuar nga anëtarët e panelit të Bankës Qendrore që të ri-angazhohemi në rekrutimin e Guvernatorit përmes projektit të Rekrutimit. Sidoqoftë, është politikë e jona që mos të angazhohemi sërish në një proces që fillimisht ka qenë i suksesshëm dhe ka rekomanduar kandidatë të aftë për pozitën”.

Derisa në publik ka pasur aludime se cili nga vlerësimet do të duhej të merrej parasysh, Ambasada Britanike ka thënë se dallimi ka qenë tek vetëm një kandidate.

“Si edhe në proceset tjera, edhe në këtë proces ka pasur dallime në vlerësime të disa kandidatëve. Sidoqoftë përveç dallimit tek një kandidate, të gjithë kandidatët tjerë të rekomanduar nga ekspertët britanikë janë të njëjtë me kandidatët e rekomanduar të panelit”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, Shqip.com ka provuar të marrë qëndrimin e anëtarëve të Komisionit për Buxhet, por se as pozita e as opozita nuk kanë pasur gatishmërinë të flasin për këtë çështje.

Ndërsa, kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, ka kërkuar që pyetjet t’i adresohen me shkrim, porse i njëjti nuk ka kthyer më përgjigje.

Shqip.com ka pyetur edhe Kuvendin e Kosovës rreth kësaj çështje, por zyrtarë të saj kanë zgjedhur të heshtin.

Njëjtë ka bërë edhe BQK tek, e cila mediumi ka bërë kërkesë para 8 ditësh për të marrë informacione se si do të bëhet procesi i konkursit të rishpallur për Guvernator, por nga ky institucion nuk ka marrë asnjë përgjigje.

BQK ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Guvernatorit më 6 qershor dhe do të jetë i hapur deri më 21 të këtij muaji.

/Shqip.com