Lajme

Pozitë e opozitë: Mungojnë punëtorët e kualifikuar, të shkolluarit s’i përmbushin nevojat e tregut

Deputetët kanë bërë shqyrtimin e Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës” në seancën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, njofton Shqip.com.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se ka vështirësi në zhvillimin e mësimit praktik në shkolla profesionale, për shkak të mungesës së një analize.

“Një numër i madh i profileve nuk janë shikuar që nga viti 2013. Mungesa e një analize dhe relevance të drejtimeve profesionale është një nga vështirësitë e zhvillimit të mësimit”, është shprehur ai.

Ndërsa, Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se është shpresëdhënëse që pas tranzicionit në Kosovë vëmendje e veçantë do u kushtohet nevojave të arsimit.

Gjithashtu Hoxha ka kërkuar më shumë buxhet dhe stimulim për nxënësit e shkollave profesionale.

“Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm ndërtimi i sistemit arsimor gjithëpërfshirës. Të zgjerohet bashkëpunimi ndërinstitucional të orientohen nxënësit në drejtimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Më shumë buxhet e fokus për stimulimin e nxënësve për shkollim në shkolla profesionale” është shprehur ajo.

Kurse, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se akoma në Kosovë ka një stigmatizim të shkollave profesionale e mungesë të hapësirave nga bizneset për punë praktike të nxënësve.

Sipas Golës, në Kosovë ka mospërputhje të shkollimit me nevojat e tregut me rreth 53 për qind.

“Kemi të bëjmë me një destabilizim radikal të strukturës së punësimit. E para është shpejtësia e ritmit të ndryshimit dhe punët që kërkojnë gjithmonë e më shumë standarde më të larta. Në Kosovë kemi rreth 53 për qind mospërputhje të shkollimit me nevoja të tregut”, ka deklaruar ai./Shqip.com