Lajme U.d e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës , Fakete Kadiu thotë se në Postë po bëhen përmirësime të lehta pasi “shkop magjik nuk kemi”.

Posta e Kosovës në krizë, i paguan punëtorët përmes kredisë nga ana e BERZH-it

Posta e Kosovës

Posta e Kosovës vazhdon të ketë probleme të mëdha financiare duke mos arritur të paguajë as pagat e punëtorëve përmes buxhetit të saj.

E shpëtimi i vetëm i përkohshëm për Postën është huaja prej 2 milionë euro e marrë nga BERZH-i.

U.d e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Fakete Kadiu ka thënë se përmes kësaj huaje janë duke i ekzekutuar pagat për punonjësit.

“Kredia ka për qëllim dhe destinim t’i mbulojë pagat e punonjësve edhe shpenzimet e kontributeve pensionale, shpenzimet e shërbimeve publike por jo diçka tjetër”.

“Pastaj mjetet tona kemi planifikuar në përmirësimin e infrastrukturës të Postës së Kosovës”, tha Kadiu për SHQIP.com.

Ajo shtoi se pjesa e parë e pagës është ekzekutuar më datën 1 për tërë stafin.

“Nuk ka qenë problem i theksuar me paga. Kohëve të fundit janë duke u rregullu çështjet me paga. Madje, me datën 1 i tërë stafi e merr gjysmën e pagës dhe brenda 10-12 ditëvë në vijim i marrin të gjithë edhe pjesën e dytë të pagave”, tha ajo.

U.d e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Fakete Kadiu

“Nuk ka asnjë zhvillim negativ që është më serioz. Përkundrazi janë duke u bërë përmirësime të lehta, sepse shkop magjik nuk kemi”, u shpreh Kadiu.

Theksojmë se më 23 maj të këtij viti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike: Posta e Kosovës, Infrakos, Trainkos, KRU Prishtina dhe Telekomi i Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshjet e nën-huazimit në vlerë totale prej rreth 5 milionë euro.

Sipas MFPT-së, këto mjete pritet t’u ndihmojnë Ndërmarrjeve Publike në rimëkëmbjen e tyre pas vështirësive financiare me të cilat janë përballur nga rënia e të hyrave, si rezultat i pandemisë COVID-19./Shqip.com