Lajme

Policia konfiskon sasi të madhe të marihuanës

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfiskuar 12 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Guri”, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si provë materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike. Vlen të ceket se gjatë kontrolleve, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor.

“Në tri operacionet e më hershme dhe në këtë të ditës së sotme janë konfiskuar rreth 48 kg substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë vlera e të cilës është rreth 70 mijë euro, janë arrestuar nëntë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aksione për këtë ngjarje ka pasur edhe gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti.

/Shqip.com