Lajme

Policia jep detaje për aksionin në Leposaviç ku u gjend laboratori për kultivimin e kanabisit dhe u sekuestruan 250.000 euro

Sot gjatë ditës, Policia e Kosovës përmes një aksioni ka arritur që të zbulojë një laborator për kultivimin e kanabisit.

Lidhur më këtë aksion, PK-ja ka dhënë edhe detaje.

“Policia e Kosovës, sot më 01.07.2022, pas hetimeve paraprake ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposavicit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit” , thuhet fillimisht në njoftimin e PK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se pas marrjes së këtij urdhëri, sot më 01.07.2022, rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij,  janë gjetur pajisje për kultivimin e  kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro.

Lexo edhe:
Sveçla: Shkatrrohet një laborator i substancave narkotike në Leposaviç, konfiskohen 250.000 euro

“Laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë.

Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë. I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit./Shqip.com