Lajme

Policia demanton mediat serbe: Operacioni në veri përfshinë vetëm zyrtarë policorë

Njësia Speciale në Kufirin Kosovë - Serbi.

Policia e Kosovës ka sqaruar se në aksionin në veri të vendit janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të PK-së, transmeton Shqip.com.

Kjo komunikatë e Policisë erdhi pasi disa media të Serbisë raportuan se në veri kanë shkuar edhe forca të tjera të sigurisë.

Në reagim thuhet se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.

“Me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, në operacione të caktuara bëhen planifikimet e nevojshme operacionale, përfshirë planifikimet e burimeve njerëzore dhe ato logjistike, varësisht prej natyrës dhe nevojës operacionale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Vlen të potencohet se në operacionin policor, i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, përderisa pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurisë janë të pavërteta”, potencohet më tej nga policia.

“Andaj, Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, përmes këtij informacioni zyrtar reagon dhe njëherë demanton shkrimet e disa mediave/portaleve serbe”, vijon sqarimi i Policisë. /Shqip.com