Lajme

Policia bllokon disa rrugë në Prishtinë – shkak mbledhja e dy qeverive

Rruga "Garibaldi" Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot do të bllokohen disa rrugë për kalim në Prishtinë.

Kjo pasi, sot në Kosovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në njoftim.

PK ka bërë të ditur se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacione, ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbledhja e dy qeverive do të fillojë në orën 11:15, më pas është paralajmëruar një konferencë për shtyp.

Lexo edhe:
Sot mbledhja e tetë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës

Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë por jo vetëm.

Në mbledhjen e kaluar në mes të dy qeverive shqiptare të mbajtur në Elbasan, janë nënshkruar 16 marrëveshje.

Në këto marrëveshje janë përfshirë, lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, njohja e diplomave etj./Shqip.com