Lajme

Sot mbledhja e tetë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë 2021

Mbledhja e tetë me radhë mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të mbahet sot në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta pret në Prishtinë homologun e tij, Edi Rama.

Pritja dhe mbledhja do të mbahen në një hotel në kryeqytet, ku delegacioni i Qeverisë shqiptare pritet të arrijë aty në orën 10:45, derisa në orën 11:00 është planifikuar pritja e kryeministrit Edi Rama nga kryeministri Albin Kurti.

Mbledhja e dy qeverive do të fillojë në orën 11:15, më pas është paralajmëruar një konferencë për shtyp.

Nnga ana tjetër, Policia e Kosovës është përgatitur për sigurinë e vendit gjatë kohë sa do të jetë mbledhja e dy qeverive.

Sipas një njoftimi nga PK-ja, bëhet e ditur se më arritur në Kosovë, delegacioni nga Shqipëria sot dhe gjatë lëvizjeve të tyre nesër do të bllokohen disa rrugë për kalim.

“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në njoftim.

Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë por jo vetëm.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri

Takimi në Prishtinë vjen në një muaj ku qëndrimet e liderëve në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë qenë shumë miqësore mes tyre.

Nga Ohri ku u mbajt sesioni i radhës i nismës së Ballkanit të Hapur, Rama deklaroi se respektonte qëndrimet e një shteti Sovran si Kosova, por i kujtoi liderëve kosovarë historinë e marrëdhënies SHBA-Japoni, për t’i kërkuar të mos e refuzojnë më nismën për shkak të pjesëmarrjes së Serbisë.

Diferencat e theksuara në qëndrime u shfaqën edhe pak ditë më parë në Greqi në Samitin e SEECP, ku Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka shkëmbyer jo pak replika, qëndruan larg njëri-tjetrit.

Ndryshe, në mbledhjen e shtatë të dy qeverive e mbajtur më 26 nëntor 2021 në Elbasan, janë arritur gjithsej 16 marrëveshje mes dy shteteve.

Ndër marrëveshjet e nënshkruara është edhe ajo për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, si dhe heqja e kontrolleve në pikën kufitare.

Historiku i mbledhjes të dy qeverive:

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Lexo edhe:
Përfundon mbledhja, nënshkruhen marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./Shqip.com