Lajme

Policia aksion në Shtërpcë – sekuestron kamerat që dyshohet se janë vendosur dhe kontrollohen nga strukturat ilegale serbe

Ilustrim

Në mëngjesin e hershëm të së enjtes, Policia e Kosovës ka nisur një aksion për sekuestrimin e kamerave të cilat dyshohet se janë të vendosura nga strukturat ilegale në Shtërpcë, komunën me shumicë serbe në rajonin e Ferizajt.

Këtë e ka konfirmuar për SHQIP.com, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku.

Maloku tha se janë duke vepruar në bazë të urdhëresës të Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt.

“Aktualisht ekipi i PK është prezent në Shtërpcë. Jemi duke e zbatuar një urdhëresë për kontrollimin e 4 lokacioneve”, tha ai.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku

Përveç kamerave, Maloku tha se po sekuestrojnë edhe dokumente.

Ai shtoi se të gjitha kamerat të cilat dyshohet se monitorohen nga struktua ilegale serbe janë duke i sekuestruar.

“Të gjitha kamerat jemi duke i sekuestruar. Do të kryejmë kontrolle edhe në disa qendra ku dyshohet se po monitorohen kamerat e sigurisë”, tha Maloku për SHQIP.com.

Lajmi në përditësim…