Po eksportonte në Gjermani, bllokohet një kamion nga Kosova në Serbi për shkak se kishte dokumente me RKS
Një prodhues kosovar që eksporton në Gjermani është bllokuar në Serbi, për shkak se në dokumentet e tij shkruan Republika e Kosovës, njofton Shqip.com.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili tha se përmes marrëveshjes së re, autoritetet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan “RKS”.
“Sapo më njoftoi një prodhues që eksporton në Gjermani se kamioni që kalon transit përmes Serbisë i është bllokuar nga autoritetet serbe. Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe përmes marrëveshjes së re autoritetet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera”, shkroi ai në Facebook.
Tutje, Panxha thotë se bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat po përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur.
Po ashtu, lidhur me këtë, ai ka kërkuar që menjëherë të ketë një reagim nga Institucionet e Kosovës.
Ndryshe, javën e kaluar, në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ku parashihet që në secilën veturë që hyn nga këto dy vende, t’i vendosen stikersa (ngjitës) në targatë e veturave./SHQIP.com