Lajme

PISA po afrohet për nxënësit kosovarë

Testi i arritshmërisë PISA do të mbahet nga 25 prilli dhe do të zgjasë deri me 20 maj.

Në këtë test pritet të marrin pjesë 7 mijë nxënës.  Rezultatet priten të shpallen në vitin tjetër.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai ka thënë se kanë filluar përgatitjet për këtë test.

“Sa i përket testit PISA jemi të përgatitur për t’iu shtruar këtij testi, pra është përzgjedhur mostra prej 237 shkollave. Disa janë shkolla të mesme të larta disa janë shkolla të mesme të ulëta dhe janë përzgjedhur si mostër e rastit 7 mijë nxënës që do të marrin pjesë në testin PISA. Rezultatet priten në dhjetorin e vitit 2023”, tha ai.

Në konferencën për medie, Pupovci foli edhe për paralajmërimin e grevës nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës Kulturës (SBAShK) nëse nuk realizohen kërkesat sa i takon Ligjit të pagave.

Ai tha se kanë pasur një takim me përfaqësuesit e Sindikatës ku janë marr parasysh kërkesat e tyre.

Thotë se pjesa tjetër e obligimeve mbetet tek organet e tjera.

Pupovci njoftoi së në shumë komuna ka filluar konkursi për asistentë të fëmijëve të me nevoja të veçanta, dhe se numri i punësuarve gjatë një viti është 100.

“Çdo vit të punësohen nga 100 asistentë të ri për fëmijët me nevoja të veçanta, pra 400, gjatë mandatit qeverisës. Tanimë komunat kanë filluar të shpallin konkurse për asistente për fëmijët me nevoja të veçanta të cilat ne jemi duke i monitoruar. I inkurajomë edhe ato komuna të cilat ende nuk kanë filluar t’i zhvillojnë procedurat e konkurrimit që të fillojnë sa me shpejtë sepse mjetet financiare janë”, njoftoi ai. /Shqip.com