Lajme

Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë mbesin ende të barrikaduara

Pamje nga veriu i vendit

Pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë të cilët që nga dje kanë vendosur barrikada në këto dy pikë kalime kufitare.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e konfirmoi për Shqip.com se barrikadat janë ende të vendosura.

“Gjendja nuk ka ndryshuar, barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë. Nuk ka pasur incidente gjatë natës”, tha Hoti.

Bllokimi i rrugës në Bërnjak

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të regjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës)./Shqip.com