Lajme

Pije alkoolike dhe energjike kontrabandë nga Kosova në Shqipëri, arrestohen shoferi dhe doganieri

103 kuti me pije alkoolike dhe energjike janë sekuestruar nga policia në në Qafë Morinë.

Policia bën me dije se për këto produkte që paguhet akcizë, operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Në pranga kanë rënë shoferi i makinës ku u kapën pijet dhe doganieri që lejoi kalimin e tyre.

“Gjatë operacionit, në hyrje të PKK Qafë Morinë, si rezultat i kontrollit të ushtruar nga shërbimet e DVP Kukës, në automjetin me drejtues shtetasin A. K., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 103 kuti me pije alkoolike dhe energjike (mallra për të cilat paguhet akcizë), të kontrabanduara në Shqipëri.

Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 54 vjeç, banues në Bajram Curri.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 46 vjeç, banues në Zogaj, Tropojë, me detyrë doganier pranë PKK Qafë Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet doganore ndaj mjetit tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin A. K., i cili transportonte mallrat nga Kosova drejt Shqipërisë””, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe shitja e mallrave kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

/Shqip.com