Art Jetese

Pica ka efekt pozitiv edhe në shëndetin tuaj

Pica është një nga ushqimet e shpejta të preferuara në botë, por rezulton se kjo rostiçeri e shijshme mund të mos jetë aq e keqe për ju sa mendoni.

Nëse bëhet me përbërës të freskët siç bëjnë italianët, pica mund të lehtësojë simptomat e artritit reumatoid, sugjeron një studim.

Çfarë është artriti reumatoid?

Artriti reumatoid është një sëmundje autoimune që shfaqet kur sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e shëndetshme, duke shkaktuar inflamacion dhe ënjtje. Është një gjendje afatgjatë që shkakton dhimbje dhe ngurtësi në kyçe, për të cilat aktualisht nuk ka kurë. Megjithatë, diagnoza dhe trajtimi i hershëm – nga ushtrimet deri te operacioni – janë çelësi për parandalimin e dëmtimit afatgjatë të kyçeve.

Shkencëtarët në Itali kanë zbuluar se ngrënia e të paktën gjysmë pice një herë në javë mund të ndihmojë në uljen e dhimbjes së shkaktuar nga sëmundja deri në 80 për qind. Ekspertët thonë se kjo është për shkak të vetive anti-inflamatore që gjenden në disa nga përbërësit e freskët.

“Këto efekte të dobishme janë të mundshme për shkak të mocarelës dhe, në një masë më të vogël, vajit të ullirit, megjithëse nuk ishim në gjendje të vlerësonim kontributin e mundshëm të salcës së domates”, shkruajnë studiuesit.

Pica ndihmon

Për studimin, i cili u botua në Nutrients, ekspertët analizuan konsumin e picës dhe dietën më të gjerë të 365 personave me artrit reumatoid midis moshës 18 dhe 65 vjeç. Pjesëmarrësit që hëngrën gjysmë pica më shumë se një herë në javë raportuan një ulje të dhimbjes në krahasim me ata që hanin dy pica në muaj. Ata me forma më të rënda që hëngrën të njëjtën sasi pica panë një ulje prej 80 për qind të dhimbjes.

Më shumë se 400,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar vuajnë nga sëmundja, sipas Shoqatës Kombëtare të Artritit Reumatoid. 

Ilaçet si steroidet dhe fizioterapia janë format kryesore të trajtimit të gjendjes. 

Nuk ka prova të forta që të sugjerojnë se disa ndryshime dietike mund të lehtësojnë artritin reumatoid. 

Megjithëse disa njerëz me këtë sëmundje mendojnë se simptomat e tyre përkeqësohen pasi hanë disa ushqime, autoritetet shëndetësore rekomandojnë të ndjekin një dietë mesdhetare anti-inflamatore që përfshin perime, fruta, bishtajore, arra, drithëra, peshk dhe yndyrna të pangopura si vaji i ullirit.

/Shqip.com