Lajme

Pezullohet nga puna zyrtari i MPB-së, shfrytëzoi parkingun si “Rent a Car”

Ministria e Punëve të Brendshme
Ministria e Punëve të Brendshme

Riza Alshiqi, zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili keqpërdori detyrën zyrtare për përfitimet e biznesit të tij “Rent a Car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, bashkë me pesë zyrtarë të të njëjtit departament të martën janë pezulluar nga detyra.

Kështu njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, tha se keqpërdorime të tilla nga zyrtarët shtetërorë do t’i ballafaqojnë me drejtësinë.

“Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, shkroi Sveçla.

Ndryshe, ministri Sveçla para pak ditësh njoftoi se ka kërkuar hetim ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, Riza Alshiqi, i cili po e shfrytëzonte parkingun e ministrisë për biznesin e tij “Rent a car”, në dëm të aseteve shtetërore.

Sveçla shkroi të dielën në “Facebook” se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu, ndërsa shtoi se edhe Komisioni Disiplinor i MPB-së duhet të angazhohet për t’i identifikuar shkeljet.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje”.

Lexo edhe:
Sveçla: Të nis hetimi ndaj zyrtarit të MPB-së që e përdori parkingun e qeverisë si “Rent a Car”

“Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, tha ministri Sveçla, teksa falënderoi dhe vlerësoi punën e mediave në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore.

“Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë”, shtoi ai.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” publikoi një hulumtim të shtunën ku tregonte për zyrtarin e lartë të MPB-së për monitorimin e transportit, që krahas punës në ministri, si punë sekondare bën biznes me dhënie të veturave me qira.

/Shqip.com