Lajme

Sveçla: Të nis hetimi ndaj zyrtarit të MPB-së që e përdori parkingun e qeverisë si “Rent a Car”

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka kërkuar nga Policia që të nisin hetimet ndaj zyrtarit të MPB-së, pas raportimeve se ai e kishte përdorur parkingun e objektit të qeverisë si “Rent a Car”.

Ai ka përgëzuar gazetarët për punën në zbardhjen e keqpërdorimit.

“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, sipas tij, po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicoj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njëjtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje. Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka shkruar ai.

Krejt në fund, ai ka përgëzuar gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë.

/Shqip.com