Pezullohet greva, ka filluar procesi mësimor në Kosovë

Sot gjatë ditës së hënë ka filluar procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë.
Kjo pasi SBASHKU-u tashmë ka pezulluar grevën deri në janar të vitit 2023.
Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se përgatitjet janë bërë që nga data 1 shtator për të filluar procesi mësimor por kjo nuk u realizua për shkak të grevës nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”, thuhet në njoftim.
MAShTI ka bërë të ditur se do të formojë grupin punues për Kalendarin e vitit shkollor.
“Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”.
Tutje nga Ministria e Arsimit kanë ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.
Gjithashtu, MAShTI dje ka njoftuar se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.
Por me kërkesën e anëtarësisë së SBASHK-ut, greva në arsim do të pezullohet deri në |Janar të vitit 2023.
Për më shumë se një muaj mësimdhënësit kanë qenë në grevë kështu duke pezulluar mësimin parauniversitar në nivel vendi.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj vazhdonte të thoshte që deri në plotësimin e kërkesës për 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të pagave, greva nuk do të ndërpritet.
Nga kjo sindikatë thonin se prisnin të ketë reflektim nga ana e Qeverisë.
Në anën tjetër, i palëkundur karshi qëndrimeve të tij qëndronte kryeministri Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit kishte deklaruar më 25 shtator se pret që mësimi të fillojë sa më parë ndërsa sindikalistët i ka quajtur “sindikalist të PAN-it”.
BSPK-ja hyn në grevë të përgjithshme më 25 gusht – SHQIP.com
Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) të enjten e 25 gushtit shpalli grevën e përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në fillim të grevës pati deklaruar se ajo do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre./Shqip.com