Lajme

Pezullohen licencat e punës për dy infermiere si dhe merren masa për disa të tjerë

Oda e Infermierëve të Kosovës ka njoftuar se iu është pezulluar licenca e punës dy infermiereve për shkak se kanë shkelur kodin e etikës.

Dy infermiere janë gjobitur me gjobë prej 1000 euro si dhe gjashtë të tjera iu është shqiptuar masa e qortimit.

“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka pezulluar licencat përkohësisht dy infermiereve, ka gjobitur në shumën prej 1000 euro dy infermiere tjera si dhe u ka shqiptuar masën e qortimit publik gjashtë infermiereve tjerë. Vendimi është marrë nga Këshilli Etik, pasi është zbuluar nga Prokurori i Odës se të njëjtit kanë bërë shkelje të Kodit Etik të Odës së Infermierëve të Kosovës të sanksionueshme ligjërisht”, thuhet në njoftimin e OIK.

OIK ka treguar se arsyeja e shqiptimit të këtyre masave ka ardhur për arysje se të dyshuarat iu kanë shërbyer disa kolegeve të tyre me certifikata të falsifikuara.

“Derisa, tërheqje e licencës në afat 1 vjeçar i është bërë një anëtareje të OIK e cila me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, u ka shërbyer disa kolegeve të saja (që këtë rast kanë marrë gjoba materiale dhe qortime publike) certifikatat e falsifikuara. Oda po ashtu tërheqje prej tre muajsh të licencës i ka bërë edhe anëtares tjetër e cila nuk ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorin dhe organet tjera të OIK. Kurse, gjoba materiale prej 1000 euro u janë shqiptuar infermiereve që janë larguar nga intervistat pasi janë ftuar nga Prokurori i OIK”.

Disa nga ato të cilat tashmë e kanë pranuar fajësinë, iu është bërë vetëm qortim publik.

“Kurse, atyre që kanë pranuar fajësinë, kanë bashkëpunuar me organet e OIK me qëllim të zbardhjes së të vërtetës dhe kanë shprehur pendesë për gabimin që kanë bërë, u janë shqiptuar qortime publike. Të njëjtëve nga OIK iu është ngritur kallëzim penal në prokurorinë përkatëse me qëllim të ndjekjes penale dhe nuk do të amnistoj asnjë person që pretendon të ri licencohet me dokumentacion të falsifikuar”.

OIK thotë se pakomprimis do të hetoj, zbuloj dhe do të marrë masa ndaj të gjithë atyre që shkelin kodin e etikës.

/Shqip.com