Lajme

Petkoviq reagon pas deklaratave të Kurtit lidhur me targat

Kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me çështjen e targave me Serbinë.

Përmes një postimi në Twitter, Petkoviq deklaroi se serbët e veriut nuk po i duan targat “RKS”, por ato të Serbisë.

“Nga videot -spotet e kota, Albin Kurti ka kaluar në porositë me sms. Kot po e ndërron taktikën, por serbët nuk duan targat ‘RKS’, por ato me simbole të shtetit serb, këte e kemi dëshmuar në veri, dy vetura të regjistrura nga 9000 sa janë”, ka shkruar Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë afat shtesë për qytetarët serb për t’i konvertuar targat e tyre RKS. Më tuje Kurti është shprehur se këto nuk janë masa kundër serbëve por për serbët.

Lexo edhe:
Kurti nuk pritet ta zbatojë kërkesën për shtyrjen e vendimit për targat

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori ku të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë automjete me targa të stërvjetruara, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legjitime. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ato vetura që janë me ato targa t’i konvertojnë në targa legjitime. Shumica dërrmuese serbeve në Kosovë i kanë konvertuar targat”.

Ndërsa sot gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjen e targave në mënyrë paqësore “gjatë ditëve në vijim”.

Kështu ka thënë në një adresim për mediat, zëdhënësi i Departamentit, Ned Price, i cili tha se kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd.

“E mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”.

Më 1 shtator, autoritetet në Kosovë nisën procesin e riregjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës – pas shtyrjes për një muaj. Me 31 dhjetor ky proces pritet të përmbyllet.

SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet, teksa po afrohet data 31 tetor.

/Shqip.com