Lajme

Kurti nuk pritet ta zbatojë kërkesën për shtyrjen e vendimit për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë afat shtesë për qytetarët serb për t’i konvertuar targat e tyre RKS.

Kurti ka thënë se tashmë një shtyrje është bërë, kur është zgjatur vendimi deri më 1 shtator.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori ku të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë automjete me targa të stërvjetruara, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legjitime. Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ato vetura që janë me ato targa t’i konvertojnë në targa legjitime. Shumica dërrmuese serbeve në Kosovë i kanë konvertuar targat”.

Më tuje Kurti është shprehur se këto nuk janë masa kundër serbëve por për serbët.

“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë.Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka shtuar më tutje Kurti.

Kurti këto komente i bëri pas hapjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022’’.

Lexo edhe:
DASH shpreson për një zgjidhje për targat “në ditët në vijim”

Ndërsa sot gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjen e targave në mënyrë paqësore “gjatë ditëve në vijim”.

Kështu ka thënë në një adresim për mediat, zëdhënësi i Departamentit, Ned Price, i cili tha se kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd.

“E mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor”.

Më 1 shtator, autoritetet në Kosovë nisën procesin e riregjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës – pas shtyrjes për një muaj.Me 31 dhjetor ky proces pritet të përmbyllet.

SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet, teksa po afrohet data 31 tetor.

/Shqip.com