Lajme Ballkan

Petkoviq: Policët serbë në veri u sollën me nder që refuzuan vendimin për targa

Drejtori i së ashtuquajturës "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me lëvizjen e tij të fundit, pra me vendimin për dërgimin e policisë së trafikut nga Prishtina në veri të Kosovës, dëshiron ta rrëzojë Marrëveshjen e Brukselit.

Petkoviq tha për televizionin Pink se prania e djeshme e patrullave rrugore të dërguara nga Kurti për të paralajmëruar me shkrim ka shkaktuar një shqetësim të rëndë te qytetarët, për çka kanë reaguar përfaqësuesit institucionalë të popullit serb, të cilët kanë thënë qartë se policët serbë nuk do të bëjnë vërejtje për targa KM.

“Kjo dërgesë tregon se Kurti dëshiron të rrëzojë Marrëveshjen e Brukselit, veçanërisht pikën 9 që i referohet policisë. Nuk ka nevojë të dërgohen policë shqiptarë në veri, është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, ku thuhet se përbërja e policisë në veri do të reflektojë strukturën kombëtare.

Prishtina po ndërton katër baza në zonën e gjelbër ku KFOR-i ka juridiksion ekskluziv, ata dërgojnë policë nga jugu për të ngacmuar serbët në veri, dhe arsyeja e vërtetë është të detyrojnë policët serbë të ndëshkojnë serbët me targa KM. Asnjë serb, asnjë polic serb nuk e dëshiron këtë sepse është një vendim politik kundër serbëve.

Policia serbe nuk dëshiron t’i ndëshkojë prindërit tanë, shoferët e ambulancës, kjo është çmenduri – tha Petkoviq.

Drejtori i zyrës theksoi se Prishtina me të gjitha mjetet po përpiqet të pushtojë në heshtje veriun e Kosovës, por se nuk do t’ia dalin.

“Ne e mbështesim sepse është i vetmi vendim i saktë. Policia nuk duhet të abuzohet, ajo ka një detyrë tjetër. Dje në Prishtinë, sidomos mbrëmë, ishin shumë të nervozuar pas fjalimit të Gjuriqit, përfaqësuesit të Listës Serbe dhe kryetarit të komunës, sepse po bëjnë thirrje për llogari nëpër portale”, tha Petkoviq.

Lexo edhe:
Policia refuzon qortimin e qytetarëve në veri

Sipas tij, Kurti jo vetëm që merr vendime të dhunshme, por shkon në kundërshtim me kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e vendimit për riregjistrim.

Për BE-në dhe SHBA-në, Petkoviq thotë se i referohen pjesës së marrëveshjes që thotë se riregjistrimi bëhet për 12 muaj, por nuk përmendin se sipas marrëveshjes ai proces duhet të jetë i tillë që qytetarët mund të zgjedhë midis targave RKS dhe KS neutrale ndaj statusit.

“E kemi ofruar edhe në Bruksel, por Kurti i ka hedhur si i përvëluar sepse mendon se targat neutrale KS janë alternativë më e keqe, sepse mendon se kështu kthehet neutraliteti statusor në çështjen e KiM. Në vitin 2020 Prishtina i hoqi targat KS dhe askush nuk protestoi kundër saj përveç nesh, sepse gjatë gjithë kohës kemi thënë se heqja e targave KS do të krijojë problem”, tha Petkoviq.

/Shqip.com