Lajme

Petkoviq për konfiskimet e alkoolit në Rahovec: E qartë se Kurti do incidente

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, në Serbi, Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar lidhur me konfiskimin e 42 mijë litrave të pijeve alkoolike në Hoçë të Madhe në Komunën e Rahovecit nga  Dogana e Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Petkoviq tha se lidhur me këtë zhvillim, është e qartë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke dashur incidente.

“Situata në Hoçë e Madhe është ende e tensionuar! I telefonova pronarit Vinica Petroviç, i cili më informoi se për një orë, Rossu po vinte me një tanker për të kapur 42.000 litra verë!  Policia e Kurtit nuk donte një zgjidhje paqësore me pronarin këtë mëngjes. Është e qartë se Kurti do incidente”, shkroi Petkoviq.

Dogana e Kosovës ka bërë konfiskimin e 42 mijë litrave të pijeve alkoolike të prodhuara në mënyre jolegjitime në Hoçë të madhe në Rahovec.

Sekuestrohen 42 mijë litra pije alkoolike në Hoçë të Madhe të Rahovecit – SHQIP.com

Lidhur me këto veprime, Dogana e Kosovës kishte kryer kontrolla rutinore duke konstatuar se pronari i dyqanit kishte punuar në kundërshtim me Kodin Doganor.

Dëmi që ju është shkaktuar buxhetit të shtetit është në vlerë të 38 mijë eurove.

“Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrollave sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”.

Vlen të theksohet se  lidhur me këtë ngjarje, mbrëmë Petkoviq e kishte quajtur veprimin e doganës si shtypje tjetër e serbëve në veri të Kosovës.

/Shqip.com