Lajme

Sekuestrohen 42 mijë litra pije alkoolike në Hoçë të Madhe të Rahovecit

Dogana e Kosovës ka bërë konfiskimin e 42 mijë litrave të pijeve alkoolike të prodhuara në mënyre jolegjitime në Hoçë të madhe në Rahovec.

Lidhur me këto veprime, Dogana e Kosovës kishte kryer kontrolla rutinore duke konstatuar se pronari i dyqanit kishte punuar në kundërshtim me Kodin Doganor.

“Dogana e Kosovës njofton opinionin se ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit). Zyrtarët kanë gjetur se përveç dyqanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoholike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave. Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës për mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Dëmi që ju është shkaktuar buxhetit të shtetit është në vlerë të 38 mijë eurove.

“Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrollave sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”.

Ndërsa, lidhur me këtë rast drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e kishte quajtur veprimin e doganës si shtypje tjetër e serbëve në veri të Kosovës.

/Shqip.com