Lajme

Përurohet një pavion për personat me nevoja të veçanta në Burgun e Dubravës

Pamje nga përurimi i pavionit të ri të Shërbimin Korrektues të Kosovës për persona me nevoja të veçanta

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffry M. Hovenier dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së “Pavijonit D” në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se ky është një prej njësiteve të para për personat me nevoja të veçanta në rajon.

“Programi për pavijonin për persona me nevoja të veçanta është jetësuar gjatë një trajnimi që kanë marrë pjesë zyrtarët e shërbimit korrektues dhe i cili është sponzorizuar nga Ambasada e SHBA. Meqë ky është programi i parë i kësaj natyre në rajon, Kosova po tregon qartazi së është shumë serioze në përmirësimin e programeve të veta korrektuese”, tha Ambasadori Hovenier.

Ky projekt është realizuar me bashkëpunimin mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane.

Me anë të këtij projekti është bërë transferimi i shërbimeve shëndetësore për të burgosurit nga Ministria e Drejtësisë tek Ministria e Shëndetësisë, për të ofruar shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, thuhet në njoftim.

Vlera e këtij projekti është rreth gjysmë milioni euro, ndërsa si staf janë shtuar 30 oficerë të rinj dhe 14 pozita për profesionistë shëndetësorë.

/Shqip.com