Lajme

“Përplasje” midis Kurtit e Borrellit në konferencë – shkak Asociacioni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell

Asociaconi i Komunave me Shumicë Serbe u bë mollë sherri e një përplasjeje midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një konferencë të përbashkët të tyre me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në adresimin e tyre të përbashkët për media, të martën në Bruksel, Kurti tha se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në interes të serbëve të Kosovës dhe është servis i Beogradit.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe dy të tretat e tyre s’janë implementuar nga Serbia, por gjithmonë Beogradi zyrtar dëshiron ta përmendë një marrëveshje që më duhet ta them s’e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Më kujtohet më 2015, kur në vendimin e saj asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi”, ka thënë Kurti.

“Besoj se është koha që të ketë dialog, ku populli, qytetarët, janë përfituesit e jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut. Që njerëzit të fitojnë. E ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015, serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtueses, por ishte Beogradi që po vajtonte për atë që ka ndodhur”, shtoi ai.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë, në mënyrë që të kënaqen politikanë të caktuara, s’janë demokratike. Unë jam demokrat dhe prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të dialogut s’duhet të jenë aty për të kënaqur politikanë, të shpëtojnë lëkurën e dikujt apo fytyrën e dikujt, por të shërbejnë e ndihmojnë njerëzit. Ne u shërbejmë njerëzve dhe kam frikë se ky Asociacion është më shumë servis i Beogradit se i qytetarëve të zakonshëm serbë në Kosovë, për të cilët po ashtu shërbej si kryeministër i Republikës sonë”, ka vazhduar Kurti.

Kjo deklaratë mori reagim të menjëhershëm nga Borrell, i cili kritikoi qasjen e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje.

Në një përgjigje direkte, Borrell tha se kjo marrëveshje duhet të implementohet sepse është nënshkruar nga të dyja palët.

“Jam demokrat edhe unë. Dhe nuk jam këtu t’i shërbej ndonjë politikani, të asnjërës anë. Ajo që është treguar deri tash është se dialogu është mënyra e vetme për të adresuar dhe zgjidhur çështjet e hapura. Dua që ta merrni parasysh plotësisht rëndësinë e dialogut dhe që të tejkaloni vështirësitë e Kosovës për integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare”, u kundërpërgjigj Borrell.

“S’pajtohem kur thoni që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshëm implementimin e kësaj marrëveshje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare për arritje të marrëveshjes dhe në kornizë të dialogut. Më vjen keq kryeministër, por më duhet të kërkojmë implementimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar. Nga të dyja palët ka marrëveshje që s’janë zbatuar. Por kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh më tej ai. /Shqip.com