Lajme

Përkundër mangësive, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë regjistrimin

Regjistrimi i popullsisë në tri komunat shqiptare në Serbi është duke vazhduar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka thënë për Shqip.com se përkundër disa mangësive në procesin e regjistrimit, interesimi është i madh.

“Për sa i përket regjistrimit të popullsisë këtu është duke shkuar me dinamiken dhe kohën e vetë është duke shkuar në përputhje me nismat sa i përket regjistrimit. Popullsia është duke u regjistruar masovikisht dhe interes të madh kanë qytetarët por kemi edhe disa mangësi të vogla në regjistrim”, tha Mustafa.

Regjistrimin e shqiptarëve në Entin e Statistikave, Mustafa e quan si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit që ju bëhet atyre.

“Ajo që është e rëndësishme është se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dalin me numrin e saktë si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit tyre. Të ju kujtoj që në vitin 2011, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bojkotuar regjistrimin. Në entin e statistikave, në të gjithë Serbinë janë 5509 shqiptarë ndërsa, 1180 shqiptarë në Luginën e Preshevës”.

Mustafa tregoi edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë në Luginën e Preshevës dhe personat të cilët mund të regjistrohen duke e krahasur me regjistrimet e kaluara.

“Sa i përket regjistrimit të vitit 2002 sa i përket kushteve optimale, këtë vit regjistrohen edhe ata që për momentin nuk janë në shtëpitë e tyre, lejohet të regjistrohet edhe diaspora. Kemi një përgjigje të jashtëzakonshme të shqiptarëve për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të qenë në regjistrat e Entit të Statistikave si banorë të Luginës së Preshevës”.

Tutje, Mustafa tha se beson fuqishëm që ky regjistrim do të nxjerrë numrin e saktë të popullsisë në Luginën e Preshevës.

Ankesa dhe parregullësi për regjistrimin në tri komunat shqiptare në Serbi – SHQIP.com

Mirëpo, numër i madh i qytetarëve shqiptar të tri komunave të Luginës po raportojnë vazhdimisht për parregullësi gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Përkundër ankesave të shumta, pak zgjidhje është bërë deri më tani.

Flutura, një qytetare nga komuna e Bujanocit thotë për SHQIP.com, se parregullsi ka hasur që në ditën e parë.

Ajo ka thënë se regjistruesit serbë nuk i ndihmojë në thjeshtimin e pyetjeve nëse dikush nuk i kupton.

Se në Medvegjë po ndodhin parregullsitë të mëdha e ka pohuar edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ai ka thënë se Serbia në këtë komunë po synon t’i përshtatë vet shifrat e popullatës.

“Në komunë e Medvegjës kemi hasur në parregullësi, pasi shumica e regjistruesve janë nga kombësi serbe, të cilët po e pengojnë në teren regjistrimin, duke mos i përfill shqiptarët atje për t’u regjistruar. Kjo është një problematikë, pasi Serbia dëshiron që të përshtatë shifrën në komunën e Medvegjës me atë aktuale edhe pas procesit të pasivizimit. Në anë tjetër në Bujanoc dhe Preshevë është në rregull, pasi regjistruesit janë shqiptarë”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, në këtë komunë duhet fokus më i madh i ndërkombëtarëve për ta mbikëqyrur procesin.

Kryetari i komisionit për regjistrim të popullsisë, Hevzi Ramadani, ka thënë se për 16 ditë, 36 mijë qytetarë janë regjistruar në komunën e Preshevës.

“Por numri i përgjithshëm i të regjistruarve të gjitha nacionaliteteve në komunën e Preshevës deri më sot është 36.000 banorë. Nga kjo lehtë mund të nxirret se sa janë shqiptar kur dihet se në Preshevë rreth 95% janë shqiptar”, tha ai për SHQIP.com.

Ai tha se në proces janë të angazhuar 73 regjistrues dhe 12 instruktorë.

Ramadani ka theksuar se mungesën e regjistruesve po e mbulojnë më persona që i kanë kryer zonat e tyre më herët.

E vështirësi në këtë proces, po del të jenë edhe mërgata shqiptare në diasporë.

Regjistruesi Dashnim Saqipi ka thënë se të dhënat e tyre po vonohen nga 7-10 ditë.

Serbia ka filluar procesin e regjistrimit më 1 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 të po këtij muaji.

/Shqip.com