Lajme

Ankesa dhe parregullësi për regjistrimin në tri komunat shqiptare në Serbi

Numër i madh i qytetarëve shqiptar të tri komunave të Luginës po raportojnë vazhdimisht për parregullësi gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Përkundër ankesave të shumta, pak zgjidhje është bërë deri më tani.

Flutura, një qytetare nga komuna e Bujanocit thotë për SHQIP.com, se parregullsi ka hasur që në ditën e parë.

“Unë jam regjistruar qysh në ditën e parë. Kam parë dhe kam dëgjuar për shumë parregullësi. Unë e kam ma të lehtë, mirëpo shoqet që i kam nga Medvegja, e kanë shumë më të vështirë. Atje jo të gjithë regjistruesit janë shqiptarë. Ka pas raste që nuk i kanë tregu edhe nëse kanë kërkuar sqarime për ndonjë  pyetje”, thotë Flutura.

Ajo ka thënë se regjistruesit serbë nuk i ndihmojë në thjeshtimin e pyetjeve nëse dikush nuk i kupton.

“Nëna ime që është më në moshë nuk e kupton këtë regjistrim. Duhet dikush që me ja thjeshtësu pyetjet, që më pas sa më të lehtë. Kur regjistruesi është serb, atij nuk i intereson. Ato që nuk plotësohen mirë, na humbin”.

Shqiprim Arifi- Kryetar i Luginës së Preshevës

Se në Medvegjë po ndodhin parregullsitë të mëdha e ka pohuar edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ai ka thënë se Serbia në këtë komunë po synon t’i përshtatë vet shifrat e popullatës.

“Në komunë e Medvegjës kemi hasur në parregullësi, pasi shumica e regjistruesve janë nga kombësi serbe, të cilët po e pengojnë në teren regjistrimin, duke mos i përfill shqiptarët atje për t’u regjistruar. Kjo është një problematikë, pasi Serbia dëshiron që të përshtatë shifrën në komunën e Medvegjës me atë aktuale edhe pas procesit të pasivizimit. Në anë tjetër në Bujanoc dhe Preshevë është në rregull, pasi regjistruesit janë shqiptarë”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, në këtë komunë duhet fokus më i madh i ndërkombëtarëve për ta mbikëqyrur procesin.

“Në Medvegjë ka nevojë që të fokusohet bashkësia ndërkombëtare, konkretisht të OSBE-ja, për të vëzhguar situatën për ta parë se si nuk po përfillen shqiptaret atje”.

SHQIP.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Serbi, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Për 16 ditë 36 mijë qytetarë janë regjistruar në Komunën e Preshevës.

Kryetari i komisionit për regjistrim të popullsisë, Hevzi Ramadani, ka thënë se për 16 ditë, 36 mijë qytetarë janë regjistruar në komunën e Preshevës.

“Por numri i përgjithshëm i të regjistruarve të gjitha nacionaliteteve në komunën e Preshevës deri më sot është 36.000 banorë. Nga kjo lehtë mund të nxirret se sa janë shqiptar kur dihet se në Preshevë rreth 95% janë shqiptar”, tha ai për SHQIP.com.

Ai tha se në proces janë të angazhuar 73 regjistrues dhe 12 instruktorë.

Ramadani ka theksuar se mungesën e regjistruesve po e mbulojnë më persona që i kanë kryer zonat e tyre më herët.

“Në komunën e Preshevës si Komision i regjistrimit i kemi të angazhuar 73 regjistrues, të cilët përcillen me punën që bëjnë nga 12 instruktorë. Regjistrimi popullsisë, amvisërive dhe ekonomive familjare është duke ecur sipas planifikimeve që kemi pasur që prej përgatitjeve për regjistrim. Vështirësia e vetme është se që në start kemi pasur 14 regjistrues më pak, kurse regjistruesit që kanë përfunduar rrethet e tyre të regjistrimit, prej sot janë duke plotësuar 8 rrethet e lira”.

“E veçantë e këtij regjistrimi është se një anëtar i familjes mund t’i regjistroj gjithë familjen. Kjo d.m.th. se familjarët mund të regjistrojnë edhe ata persona që janë në shtetet e BE-së, si banor jorezident. Ndërsa e theksoj se qytetarët që refuzojnë të regjistrohen me këtë bëjnë kundërvajtje dhe mund të dënohen prej 20.000 – 50.000 dinarë (170€ – 420€). D.m.th. regjistrimi është edhe obligim ligjor”, ka thënë tutje Ramadani për Shqip.com.

E vështirësi në këtë proces, po del të jenë edhe mërgata shqiptare në diasporë.

Regjistruesi Dashnim Saqipi ka thënë se të dhënat e tyre po vonohen nga 7-10 ditë.

“Po kemi vështirësi në marrjen e të dhënave për qytetarët në diasporë. Ka nga ta që i vonojnë nga 1 javë deri në 10 ditë. Ka raste që kemi pritur dhe nuk i kanë dërguar fare te familjarët e tyre dhe regjistrimi po bëhet shumë më i vështirë. Duhet t’i gjejmë patjetër ato të dhëna pasi është në të mirën tonë”, ka thënë ai për redaksinë.

Sipas tij, qëllimi i vetëm i tyre, është që të mos mbetët asnjë shqiptar pa u regjistruar.

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ndan 35 mijë euro për Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 35 mijë euro për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ky vendim është marr në mbledhjen e 100-të të Qeverisë së Kosovës për të cilin nuk ishin kundër asnjë dhe nuk pati asnjë abstenim.

“Në këtë pikë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bënë ndarjen e mjeteve buxhetore prej 35 mijë eurove. Mjetet buxhetore në këtë pikë ndahen sipas kërkesës së Këshillit Nacional Shqiptarë dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të tyre lobuese”, ka thënë në mbledhjen e ekzekutivit kryeministri Albin Kurti.

Ky vendim i Qeverisë, sipas Arifit është për keqardhje, pasi sipas tij ekzekutivi i Kosovës është dashur që ta ndihmojë ndryshe Luginën.

“Për mua është për keqardhje pozicionimi i Qeverisë së Kosovës në këtë proces. Vetëm për të rikujtuar Kosova kur ka bërë cenzuesin, Serbia me autobus ka bartë serbë për t’u regjistruar, ndërsa ne e shohim se Qeveria e Kosovës ndan 35 mijë euro për liderët e Luginës për të shkuar në Amerikë për t’u shëtitur, në vend që të investojë në autobusa për të bartur shqiptarë për tu regjistruar. Është për keqardhje botëkuptimi i Qeverisë për Luginën e Preshevës” , ka thënë Arifi.

Serbia ka filluar procesin e regjistrimit më 1 tetor dhe do të zgjasë deri më 31 të po këtij muaji.

/Shqip.com