Lajme

Përfundon takimi, SBASHK-u dhe Qeveria nuk bien dakord as sot

Komisioni për Arsim

Takimi në mes të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ati të Financave, Hekuran Murati me përfaqësueses nga SBASHK-u ka përfunduar pa ndonjë kompromis.

Murati, deklaroi se nuk mund të arrihet marrëveshje, kur kërkesat e Këshillit Grevist, ndërkohë vazhdimisht ndryshojnë.

Ai ka kërkua që greva të ndalet dhe të ketë dialog.

“Jemi duke folur për kërkesa që edhe nëse nuk janë plotësuar në tërësi, bëhet fjalë për mbi 300 mijë fëmijë. Greva do të duhej të ndërpritej dhe të vazhdohet dialogu social”, ka thënë Murati.

E sindikalisti Imer Imeri deklaroi se ministri nuk ka gatishmëri për t’u arritur  marrëveshja, pasi po i keqinterpreton kërkesat.

“Lexoi mirë ministër kërkesat…se nuk po i interpreton drejtë se nuk po do të arrish  marrëveshje”, tha Imeri.

Ai tutje, tha se të gjitha vendimet që i merr janë në dakordim me të gjithë përfaqësuesit e SBASHKU-ut.

Në anën tjetër, Nagavci tha se pika e vetme që nuk pajtohen me SBAShK-un është kërkesa e tyre prej 100 euro.

Sipas Nagavcit, kjo kërkesë e SBASHK-ut po e pamundëson zgjidhjen e grevës.

“Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”.

Kryesuesi i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka dalë me një propozim për Këshillin Grevist për të zëvendësuar metodën aktuale të grevës me atë të mos vendosjes së notave për nxënësit.

Pra sipas Golës, duhet të ndërrohet mënyra e presionit për plotësimin e kërkesave, në mënyrë që të mbahet edhe mësimi dhe qeveria në të njëjtën kohë të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Ndryshe, kjo është java e katër e grevës./SHQIP.com