Përfundon operacioni i policit të plagosur, gjendja e tij është stabile
Ekrem Neziri, pjesëtari i Policisë së Kosovës që dje është plagosur në Zveçan, gjatë ditës së sotme i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në QKUK.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës u tha se operimi i tij ka kaluar me sukses dhe për disa ditë do të trajtohet në spital
“Pacienti është pranuar rreth orës 08:30 dhe në pranim është monitoruar, parametrat vitale kanë qenë të gjitha stabile. Kemi bërë edhe ekzaminime tjera si CT e kokës ku është konstatuar se tek pacienti kemi pjesë të metalit në këtë rast të predhës në regjionin e kraharorit.
Në bazë të analizave biokimike dhe biohemetologjike është konstatuar se pacienti ka gjendje stabile dhe është dërguar për trajtim në Kirurgjinë Turakale ku edhe i është bërë intervenimi” tha mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente në QKUK, Avdush Bajgora.
Ndërsa mjeku që e operoi tha se trajtimi i policit do të vazhdojë edhe për disa ditë në spital.
“Gjatë operimit i është hequr një predhë shumë e vogël metalike dhe pacienti është në gjendje stabile shëndetësore. Trajtimi i tij do të vazhdojë edhe për tri deri katër ditë në spital”.
/Shqip.com