Lajme

Përfundon dialogu në Bruksel – nuk pati takim trepalësh

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Pala kosovare dhe ajo serbe të mërkurën kanë përfunduar takimet me zyrtarët evropianë në Bruksel, por pa takim trepalësh mes tyre.

Delegacionin e Kosovës gjatë dy ditëve negociata e udhëhoqi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Bislimi ka zhvilluar takime me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak gjatë një takimi në Bruksel

Pas takimit me këtë të fundit, ka thënë se ka zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se tema të diskutimit kanë qenë: energjetika, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Në një deklaratë të bërë publike një ditë më parë, pala serbe ka thënë se pret që me palën kosovare të diskutojë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të diskutohet për çështje të tjera.

Sipas tyre, Asociacioni është “çështje mbi të gjitha çështjet e tjera”.

Ndaj, kanë thënë se “është në dorën e Prishtinës nëse bisedimet tripalëshe do të vazhdojnë”.

Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçak gjatë një takimi në Bruksel

Por, në anën tjetër, Bislimi ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh.

Ai është shprehur se ekziston një “marrëveshje parimore”, në bazë të së cilës, në takimet e përbashkëta diskutohen vetëm temat për të cilat bien dakord të dyja palët.

Bislimi ka shtuar se pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë, sepse ato, sipas tij, duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse./SHQIP.com