Lajme

Përfshihet nga zjarri një veturë në Mitrovicën veriore

Ilustrim

Sot në orët e para të mëngjesit është djegur një veturë në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me ngjarjen kanë marrë veprime edhe zjarrfikësit.

“Është raportuar se në lokacionin lartcekur një automjet është kapluar nga zjarri. Njësitë policore dhe ato të zjarrfikësve iu janë përgjigjur rastit”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas PK-së, zjarri është lokalizuar ndërsa me veprimet hetimore janë duke u marrë njësitet kompetente.

Kujtojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme kanë ndodhur dy shpërthime në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti tha se shpërthimet kanë ndodhur nga shok-bomba por nuk ka të lënduar.

Ndodhin dy shpërthime me shok-bomba në veri – SHQIP.com

“Në lagjen e Boshnjakeve kanë qenë dy shpërthime me shok-bomba por nuk ka të lënduar”, tha Hoti.

Kujtojmë se dje ne veri të vendit janë penguar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor që të hyjnë në objektet e KQZ-së në Leposaviç dhe në Mitrovicën e Veriut.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçlës, në këtë sulm janë përdorur granata dore, shokbombë, armë zjarri etj. Sveçla theksoi se në mesin e organizatorëve të sulmit kishte edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Krahas kësaj, ministri i Punëve të Brendshme cilësoi se bandat kriminale ndaluan fillimin e një procesi demokratik me metoda terroriste.

/Shqip.com